Uncategorized

Do largohet nga Koreja, Gwangju lë jashtë ekipi Asanin

Jasir Asani duket se do të kalojë disa muaj të vështirë nëse nuk ia del që të sigurojë marrëveshjen me skuadrën e Guangxhu që ta lejojë të transferohet që tani te Esteghlal në Iran.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, gjeti akordin me klubin iranian për transferimin në janar, kur t’i përfundonte kontrata me klubin korean. Këtij të fundit duket nuk i ka pëlqyer vendimi i sulmuesit Kombëtares dhe ka nisur hakmarrjen, duke e lënë Asanin për të dytën javë radhazi jashtë listës së grumbullimit për ndeshjet e kampionatit, edhe pse futbollisti është padyshim ylli i ekipit.

Koreanët dëshironin në fakt që Asani të rinovonte kontratën, ose të paktën të fitonin diçka financiarisht nga shitja e tij, ndaj vendimi i lojtarit për t’u larguar si futbollist i lirë, nuk është pritur mirë në klub. Qëndrimi kundër tij është përsëritur edhe sot, në ndeshjen ndaj Pohjang, në të cilën Asani nuk figuron në listën e skuadrës. Zgjidhja e vetme në këtë pikë mbetet që dy klubet të gjejnë akordin që Asani të lejohet të transferohet që tani te Esteghlal, gjë që është edhe qëllimi i klubit iranian, i cili e kishte bërë të ditur këtë hipotezë që kur njoftoi për firmën me të një javë më parë. /InfoBridgeOnline/