Uncategorized

Këto janë vlerat normale të PSA-së dhe gjithmonë pytemi a janë vlerat të larta shenjatë e kancerit të prostatës?

Një analizë e thjeshtë që mund të shpëtojë jetë

Shëndeti i prostatës është një nga temt më të rëndësishme të kujdesit shëndetësor për meshkujt, veçanërisht pas moshës 50-vjeçare. Një nga testet më të zakonshme, por edhe më të diskutueshme, është testi i gjakut për PSA.

Ky test mat nivelin e një proteine që prodhohet nga prostata dhe ndihmon në zbulimin e hershëm të çrregullimeve të ndryshme, përfshirë zmadhimin benign të prostatës, inflamacionin dhe në disa raste, kancerin e prostatës. Megjithatë, interpretimi i saktë i vlerave të PSA-së kërkon kujdes, sepse jo çdo rritje e PSA-së do të thotë kancer, dhe jo çdo vlerë normale e përjashton atë.

Për këtë arsye, testimi PSA shpesh kombinohet me kontrollin urologjik, ultrazërin e prostatës dhe ekzaminime të tjera ndihmëse.

Sipas udhëzimeve të American Urological Association (AUA) dhe European Association of Urology (EAU), testimi për PSA rekomandohet si pjesë e skriningut për meshkujt me faktorë rreziku ose si mjet ndihmës për diagnostikimin, por vendimi për ta kryer testin duhet të merret në konsultim me mjekun, duke marrë parasysh moshën, historinë familjare dhe gjendjen e përgjithshme shëndetësore të pacientit.

Ky udhëzues i shkurtër jep përgjigje për pyetjet më të shpeshta që shtrohen nga pacientët dhe ndihmon në kuptimin e rëndësisë së këtij testi si pjesë e kujdesit parandalues, transmeton Telegrafi.

Kujt i rekomandohet testimi për PSA?

Rekomandohet që testimi për PSA dhe kontrolli urologjik të bëhen një herë në vit për këto grupe:

▪ Meshkujt mbi 50 vjeç
▪ Meshkujt mbi 45 vjeç, nëse në familje ka raste të kancerit të prostatës
▪ Meshkujt mbi 40 vjeç me mutacione të gjenit BRCA1/2

Kontrollet e rregullta, diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi në kohë janë thelbësore në parandalimin dhe menaxhimin e kancerit të prostatës.

Nëse kanceri zbulohet në fazat e hershme, përqindja e shërimit është shumë e lartë, kjo është arsyeja pse kontrolli parandalues ka rëndësi të jashtëzakonshme. Brenda kuadrit të skriningut dhe zbulimit të hershëm, realizohet edhe analiza e gjakut për PSA (antigjeni specifik për prostatën).

Çfarë është PSA?

PSA (antigjeni specifik për prostatën) është një proteinë, enzimë proteolitike, që prodhohet nga qelizat epiteliale të indit gjëndëror të prostatës. Funksioni kryesor i tij është të ndihmojë në shpërbërjen e mpiksjes së spermës, duke përmirësuar lëvizshmërinë e spermatozoidëve.

PSA është marker specifik për prostatën, sepse përveç nga qelizat normale, prodhohet edhe nga ato malinje. Për këtë arsye, ai është një nga markerët më të rëndësishëm tumoralë që përdoret për zbulimin e hershëm, përcaktimin e stadit të kancerit të prostatës dhe ndjekjen e rezultateve të trajtimit.

Cilat janë vlerat normale të PSA-së?

PSA në gjak paraqitet në disa forma, por më të rëndësishmet janë:

▪ PSA i lidhur (cPSA), që përbën rreth 95%
▪ PSA i lirë (fPSA), që nuk lidhet me proteinat e plazmës – rreth 5%

PSA total (tPSA) është shuma e fPSA dhe cPSA.

Në praktikën klinike maten tPSA dhe fPSA, si dhe raporti ndërmjet tyre (f/t PSA).

Vlerat normale të PSA-së varen nga mosha, raca dhe vëllimi i prostatës. Vlera më e pranuar si kufi i sipërm i normales është 4,0 ng/ml.

A nënkupton çdo rritje e PSA-së kancer të prostatës?

Jo.

Ekziston e ashtuquajtura “zonë gri”, kur vlerat e PSA-së janë midis 4,0 dhe 10,0 ng/ml. Këto vlera mund të paraqiten si tek pacientët me zmadhim benign të prostatës, ashtu edhe tek ata me kancer të prostatës.

Prandaj është e rëndësishme të matet edhe PSA i lirë (fPSA) dhe të llogaritet raporti f/t PSA. Sa më i ulët të jetë ky raport, aq më i lartë është rreziku për prani të kancerit. Shumë ekspertë rekomandojnë biopsi të prostatës kur raporti f/t është më i vogël se 0.10.

Duhet theksuar se rritja e PSA-së mund të ndodhë edhe në raste të tjera jo-kanceroze, si:

– zmadhim benign i prostatës
– inflamacion i prostatës (prostatiti)
– pas biopsisë ose ndërhyrjeve kirurgjikale në prostatë
– infeksione të traktit urinar

Prandaj është e domosdoshme që pacienti të konsultohet me urologun, i cili do të kryejë një kontroll të plotë (ekzaminim rektal, ultratingull etj.) për të vendosur diagnozën e saktë.

Sa shpesh paraqitet kanceri i prostatës?

Kanceri i prostatës është forma e tretë më e shpeshtë e kancerit tek meshkujt, pas kancerit të mushkërive dhe zorrës së trashë.

Cilat janë faktorët e rrezikut për zhvillimin e kancerit të prostatës?

Faktorët kryesorë përfshijnë:

▪ Moshën e avancuar
▪ Histori familjare me kancer të prostatës
▪ Përkatësinë etnike (më i zakonshëm te meshkujt e racës së zezë)
▪ Praninë e mutacioneve gjenetike të caktuara (p.sh. BRCA)

Si dyshohet për kancer të prostatës?

Në krahasim me llojet e tjera të kancerit, kanceri i prostatës rritet ngadalë dhe në fazat e hershme shpesh nuk shfaq asnjë simptomë.

Me përparimin e sëmundjes dhe zmadhohet prostata, mund të shfaqen:

▪ Vështirësi në urinim
▪ Nevojë e shpeshtë për të urinuar, veçanërisht natën
▪ Ndjesi e zbrazjes jo të plotë të fshikëzës
▪ Gjak në urinë
▪ Probleme me ereksionin
▪ Dhimbje apo parehati në legen

Këto simptoma nuk janë specifike vetëm për kancerin e prostatës dhe mund të ndodhin edhe në raste të tjera, si:

▪ Zmadhim benign i prostatës
▪ Prostatit akut apo kronik

Pse është i rëndësishëm kontrolli i hershëm?

Zbulimi në fazë të hershme rrit ndjeshëm mundësinë për shërim. Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe bëni rregullisht kontrolle urologjike.

Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi në kohë janë aleatët më të fuqishëm në luftën kundër kancerit të prostatës. /InfoBridgeOnline/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *