Kjo kompani i angazhon dronët teknologjike qe arrijnë të pastrojnë ndotjet në Everest.
Një kompani teknologjike nga Nepali ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke përdorur dronë që transporton pajisje jetësore për alpinistët në Everest dhe njëkohësisht ndihmon në largimin e mbeturinave nga mali.
Si maja më e lartë në botë dhe një nga vendet më të paarritshme në Tokë, Everesti është përballur prej dekadash me ndotje serioze.
Në pjesë të ndryshme të malit gjenden tenda të grisura, mbështjellës ushqimi, bombola të zbrazëta oksigjeni dhe madje edhe jashtëqitje njerëzore, të lëna pas nga alpinistët.

Kompania Airlift Technology po përpiqet të zgjidhë këtë krizë mjedisore përmes një zgjidhjeje inovative: dronëve që transportojnë furnizime dhe kthehen me mbeturina, duke e bërë më të pastër atë që shpesh quhet ‘depoja më e lartë e mbeturinave në botë’.
Gjatë periudhës mars–maj 2025, Airlift Technology raportoi se ka larguar mbi 1,000 kilogramë mbeturina nga mali.
Në bashkëpunim me gjigantin kinez të dronëve DJI, kompania përdor modelin DJI FlyCart 30, një dron që mund të mbajë deri në 15 kilogramë ngarkesë. Këta dronë transportojnë furnizime thelbësore, si bombola oksigjeni, litarë dhe shkallë, nga Kampi Bazë (5,364 metra) në Kampin 1 (6,065 metra) për vetëm tre minuta, kur kushtet e motit janë të favorshme.
Për krahasim, e njëjta rrugë kërkon 6 deri në 7 orë ecje për guidat Sherpa, të cilët kalojnë përmes Akullnajës së rrezikshme Khumbu, një zonë e mbushur me çarje dhe blloqe të mëdha akulli (serac), që mund të shemben në çdo moment.
Në kthim, dronët mbajnë mbeturina poshtë, duke reduktuar nevojën që njerëzit të bëjnë rrugë të dyfishta të rrezikshme.
Megjithëse janë ndërmarrë nisma të tjera për pastrimin e Everestit, përfshirë edhe fushatën e Ushtrisë së Nepalit në vitin 2024, që mblodhi rreth 11 ton mbeturina, problemi mbetet serioz. Vlerësohet se rreth 50 ton mbeturina ende ndodhen në kampe të ndryshme të malit.
Përfaqësues të Airlift Technology janë optimistë se dronët do të luajnë një rol kyç në pastrimin gradual të Everestit, duke kombinuar efikasitetin teknologjik me mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e alpinistëve. /InfoBridgeOnline/
